
MILANO- “Mendova: sigurisht që jam më i mirë unë se Berluskoni… nuk e duroj dot… Në fillim isha i pavendosur, por më pas dëgjova fjalimin e tij dhe atëherë futa dorën në xhep, kapa statujëzën dhe …. e bëra”.
Kështu ka rrëfyer 42-vjeçari Massimo Tartaglia, agresori që dy ditë më parë i sakatoi fytyrën kryeministrit italian Silvio Berluskoni, duke i lëshuar në distancë një statujëz, që për pasojë i shkaktoi dhëmbë e nofull të thyer dhe dëmtime në fytyrë.
Ai ka pranuar se kryeministri nuk ka qenë kurrë në preferencat e tij dhe këtë e dinë edhe ata që punojnë me të, që e kanë bërë të njohur për mediat.
Por, se çfarë i shkoi ndër mend në kohën që ishte në shesh teksa kryeministri mbante atë diskutim, këtë nuk arrin ta shpjegojë saktë, as ai vetë.
Ai i ka kërkuar falje policëve që i ka “humbur kohë”, dhe më pas i ka nisur edhe një letër ndjese vetë Berluskonit përmes avokatëve mbrojtës të tij, duke e cilësuar aktin e bërë të poshtër e sipërfaqësor. Por ka shtuar më tej, se pavarësisht kësaj, ai nuk është killer i askujt.
Në letër ai ka deklaruar se ka vepruar i vetëm pa bashkëpunimin e askujt dhe ka përjashtuar ndikimit partiake. “Kur e pashë të afrohej, më hipi gjaku në kokë”- ka thënë ai.
***
Berluskoni pas sulmit gdhihet i qetë, kërkon të lexojë çfarë shkruajnë gazetat
“Sapo është zgjuar ka kërkuar menjëherë të lexojë gazetat”. Kështu raportojnë sot mediat italiane, që kanë në qendër të lajmeve të tyre sulmin ndaj kryeministrit Silvio Berluskoni.
Sipas mjekëve, që e kanë mbajtur në trajtim në spitalin San Raffaele në Milano ka kaluar një natë të qetë dhe kërkesa e parë e tij këtë mëngjes ka qenë të shikonte me urgjencë shtypin e ditës për të mësuar se çfarë kanë shkruar mediat lidhur me agresionin ndaj tij në sheshin Duomo, të Milanos.
DICITURAT GALERI FOTO
1 – Pamje nga fytyra e demtuar rende e Berluskonit
2 – Berluskoni ne Shqiperi
Goditet Berluskoni
Një goditje në nofull. Një fytyrë e gjakosur që fiksohet në kamera dhe aparate fotografike. Është Silvio Berluskoni, kryeministri italian që është goditur me një objekt të fortë nga një person i lodhur nga mënyra e tij e qeverisjes. Sapo kishte përfunduar takimi në “Piazza Duomo” në Milano. Berluskoni kishte sulmuar gjykatësi, kishte pasur përplasje verbale me disa persona që e kundërshtonin dhe tashmë po i drejtohej makinës së tij.
Ecën mes dy turmave të mbështetësve, i shtrëngon dorën njerëzve, firmos autografe. Situata është e qetë dhe përplasja verbale e disa minutave më parë është harruar. Por, papritur, goditet nga një objekt. Më pas mësohet se është një statujë souvenir e blerë pikërisht në sheshin e mitingut.
Kryeministri italian ul kokën dhe fytyra i mbushet me gjak. Janë momente dramatike. Eskorta merr “Kavalierin” dhe e tërheq në makinën e blinduar. Massimo Tartaglia, 42-vjeç, qëndron i ngurtësuar. Kundër tij shfaqet inati i të gjithë manifestuesve, agjentët e marrin dhe e largojnë. “Kam vrapuar me agjentët e policisë për të larguar agresorin që rrezikonte të linçohej”,- komenton ministri i Mbrojtjes Ignazio La Russa.
Berluskoni kthehet nga turma për ta siguruar. Bën një shenjë me dorë për të thënë “jam mirë”.
Janë momente paqartësie. Të dhënat e para flasin për një grusht në fytyrë por më pas mendohet se kryeministri italian është goditur nga afër me një statujë. Dinamika e ngjarjeve, sipas hetuesve, duket më shumë si një akt i izoluar se sa një agresion i organizuar.
Tartaglia dërgohet në kuesturë. Nuk është një aktivist politik. Policia nuk e njeh por më pas hapen fjalë se kurohet për probleme mendore. Pas marrjes në pyetje ai është arrestuar me akuzën e dëmtimeve të rënda me paramendim ndaj një funksionari publik. Tartaglia kishte në xhep edhe një tjetër statujë të vogël në formë kryqi si dhe një bombol sprai me piper.
Ndërkohë Berluskoni shkon në spitalin “San Raffaele” ku mjekët flasin për një çarje të buzës së poshtme. “Është mirë,- thotë besnikët e tij, kishte një qese me akull në fytyrë dhe dukej se nuk kishte probleme”.
Më pas dalin lajme të tjera që flasin për humbje të madhe gjaku, hematoma të brendshme e të jashtme, dëmtim të hundës, dy dhëmbë të thyer. Të njëjtat burime thonë se kryeministri italian nuk ka humbur në asnjë rast ndjenjat por prognoza e parë flet për 15 ditë nën kujdesin e mjekëve.
Vetë Berluskoni qetëson njerëzit që i ndodhen përreth: “Jam mirë” thotë teksa po e transferojnë nga urgjenca në një nga dhomat e spitalit. “Ndihem keq për këtë fushatë urrejtjeje ndaj meje. Ky është fryti i atyre që duan të përhapin urrejtje. Pothuajse e prisja…”,- thotë ai. Por më pas nuk harron të shtojë: Jam ende këtu, nuk mund të më ndalojnë.
Protesta, 350 mijë njerëz: Berluskoni ik
Pak ditë më parë kryeqyteti italian u përfshi nga protestat ku dhjetëra mijëra demonstrues kërkonin dorëheqjen e kryeministrit, Silvio Berluskoni. Organizatorët thanë se ishin 350 mijë pjesëmarrës në këtë demonstratë, ndërsa policia 90 mijë. Kjo ishte protesta e parë e organizuar në Itali pothuajse vetëm përmes njoftimeve në internet. Sindikatat, organizatat me orientim të majtë, Partia e hetuesve të dikurshëm anti-korruspion dhe ministri Antonio Di Pietro përkrahën të ashtuquajturën “No Berlusconi Day”. Kërkesa është e qartë: Berluskoni duhet të japë dorëheqjen. Dhe ku duhet të shkojë pastaj: më së miri në burg. Dhjetëra mijëra njerëz janë tubuar në qendër të Romës. Atyre iu ka ardhur në maje të hundës Berluskoni: politika e tij, skandalet e tij seksuale dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme që përmes ndryshimit të ligjeve të pengojë proceset e ndjekjes penale. “Ka shumë vite që e them se është arritur pika e nivelit më të ulët. Dhe tani me të vërtetë ndodhemi në atë pikë. Të shkatërrohet tërë sistemi juridik i një vendi për interesat e një njeriu, është e tepërt”, sqaron një protestues. Sidoqoftë lajmet e mira nuk mungojnë as për protestuesit. Në Milano sapo është rihapur procedura për një proces korrupsioni kundër Berluskonit pasi Gjykata e Lartë Kushtetuese nuk miratoi një ligj imuniteti.
Lidhjet e kryeministrit me mafian
Jo shumë të këndshme janë për Berluskonin edhe akuzat se më herët ka pasur lidhje me mafien. Ai ka hedhur poshtë këto akuza duke i cilësuar si akuza qesharake. Kryeministri e quan veten me kënaqësi si prijës të luftës kundër mafies. Kështu që arrestimi i fundit i dy prej bosëve të mafies më të kërkuar në Itali, njëri prej tyre Gianni Nicchi – numri dy i “Cosa Nostrës” siciliane shkon në favor të kryeministrit Berluskoni. Përveçse në kryeqytetin italian protesta kundër Berluskonit ka pasur edhe në metropolet e tjera botërore si në Berlin, Londër, Paris, Nju Jork, Sidnej, Rabat dhe në qytet të tjera. Protesta në Berlin u zhvillua nën moton: “Shpëtoni Italinë, shpëtoni demokracinë. Berluskoni duhet të japë dorëheqjen”. Protesta në kryeqytetin gjerman drejtohej ndër të tjera kundër “kontrollit të pashembullt në botë të medieve” që ushtron Berluskoni në Itali.
Shekulli.com.al

![[Ask]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/ask.png)
![[blinklist]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/blinklist.png)
![[del.icio.us]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/delicious.png)
![[Digg]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/digg.png)
![[Facebook]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/facebook.png)
![[Google]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/google.png)
![[MySpace]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/myspace.png)
![[Reddit]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/reddit.png)
![[StumbleUpon]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/stumbleupon.png)
![[Twitter]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/twitter.png)
![[Yahoo!]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/yahoo.png)
![[Email]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/email.png)