Ju Ndodheni Ketu: Home // Lushnja // Avokati i Popullit, kritika për trajtimin e Aldo Bares

Avokati i Popullit, kritika për trajtimin e Aldo Bares

aldo bare gjykate ne gjyq 27 janar1Dobjani vëren se gjendja e “kreut” të bandës së Lushnjes është përkeqësuar dhe ai nuk merr mjekimin e duhur
TIRANË- “Ankuesi Alfred Shkurti alias Aldo Bare, po trajtohet nga institucioni i paraburgimit “Jordan Misja” në mënyrë çnjerëzore dhe jo të barabartë me të paraburgosurit e tjerë, duke sjellë përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore”.
Kështu thuhet në raportin zyrtar që dy komisionerët e Avokatit të Popullit kanë përgatitur për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, pas vizitës disa orëshe në qelinë e të paraburgosurit Aldo Bare i cilësuar si kreu i “bandës” së Lushnjës.
Sipas rekomandimit që të hënën pritet të publikohet nga zyra e Avokatit të Popullit, thuhet se Bare mbahet në kushte izolimi, observimi dhe trajtimi ekstremisht të rrepta në dallim nga të paraburgosurit e tjerë, pasi atij nuk i lejohet asnjë gazetë, nuk i lejohet televizor brenda dhomës dhe as mjete ngrohjeje.
“Megjithëse pretendon se vuan nga probleme të veshkave që në Turqi, mjeku i paraburgimit “Jordan Misja” (313) nuk është lejuar të hyjë, madje nuk i janë bërë as analizat rutine.
Është këshilluar që në Turqi që të konsumojë disa litra ujë në ditë, por nuk mund të realizojë këtë në paraburgimin “313″ pasi lëvizjet e tij në tualet janë të kufizuara dhe kërkojnë përqendrim personeli policor”-thuhet në rekomandimin e përpiluar nga dy komisioner të Njësisë Kundër Torturës pranë Avokatit të Popullit ku një kopje të saj e ka siguruar në mënyrë të rezervuar “Shekulli”.
Sipas raportit mësohet se gjendja shëndetësore e Aldo Bares është përkeqësuar, pasi edhe në seancën e fundit gjyqësore brenda sallës së gjyqit i pandehuri kërkoi të largohej pasi nuk ishte në gjendje të vazhdonte seancën.
“Gjendja e tij psikologjike është rënduar dhe acaruar, pasi mbahet i vetëm në qeli në një seksion të veçantë dhe nuk ka asnjë komunikim me persona të tjerë duke mos lejuar edhe psikologen e institucionit të hyjë brenda.
Gjendja e tij është rënduar në aspektin psikologjik dhe ka nevojë urgjente për trajtim mjekësor. Gjithashtu, në kundërshtim me çdo rregull të vetë institucionit, Bare nuk merr pjesë në asnjë veprimtari të përbashkët edukuese me të paraburgosurit e tjerë, pasi bën seancën e ajrimit vetëm një herë në tre ditë, ku edhe në banje shoqërohet nga trupa speciale të policisë”,-thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit.
Gjithashtu mësohet se dy ditë para se Bare të vizitohej nga komisionerët e Avokatit të Popullit, ai kishte vjellë gjak në banje, gjendje për të cilën kishte vënë në dijeni edhe zyrtarët e burgut të cilët i kishin komunikuar se nuk mund ta dërgonin në Spital për shkak se duheshin angazhuar forca të mëdha të sigurisë.
Të pyetur për këtë fakt burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve sqaruan se trajtimi i Bares është i njëjtë me të tjerët. “Shtetasi Aldo Bare trajtohet në të njëjtën mënyrë si të gjithë të tjerët që ndodhen në institucionin e paraburgimit.
Mesa kam informacion, në institucion kanë qenë dy komisionerë të Avokatit të Popullit, të cilët kanë bërë verifikimet e tyre dhe janë larguar pa dhënë asnjë shpjegim apo ndonjë ankesë dhe deri tani nuk kemi asnjë rekomandim”,-thuhet nga zyrtarët e burgjeve.
Ky inspektim, mësohet se është kryer pas ankesës së avokatit mbrojtës Vladimir Meçe, i cili në letrën dërguar Avokatit të Popullit e ka cilësuar trajtimin e klientit të tij si shumë shtazarak dhe mos lejimin e tij për ta vizituar.

Prokuroria:
Vrasja e Xhindit, hetimet në një pistë të vetme
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet në bashkëpunim me policinë e shtetit zgjeron grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes së vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi në fillim të majit të 2009 në Roskovec të Fierit. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës dhe policisë së shtetit, të cilët sqaruan se janë shtuar edhe dy oficerë policie në hetimin e kësaj çështjeje.

“Deri më tani janë pyetur 80 persona të ndryshëm të cilët kishin lidhje direkt apo indirekte me ngjarjen, apo edhe njohjen me deputetin Xhindi, i cili mbrëmjen e 2 majit 2009 u qëllua me breshëri plumbash në portën e shtëpisë së tij në Roskovec të Fierit në momentin që po mbyllte makinën.

Gjithashtu, mësohet se hetimet janë përqendruar vetëm në një pistë të vetme, por, nuk jepen detaje se cila është pista që po hetohet intensivisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit. “Hetimet kanë qenë të përqendruara në tre pista, por nga hetimet disa mujore është arritur të rrëzohen dy prej tyre, duke mbetur vetëm një pistë hetimore, për të cilën po kryhen veprime intensive”,-thanë burimet.
Ndërkohë, hetimet tashmë janë zhvendosur vetëm në Tiranë, pasi të gjitha veprimet procedurale e hetimore në qytetin e Fierit dhe qytezën e Roskovecit kanë përfunduar.
Ndërkaq, pak muaj më parë, ishin disa banorë të Roskovecit të cilët dorëzuan në protokollin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe në Ambasadën e SHBA-së në kryeqytet një peticion me 1500 firma, ku kërkohet zbardhja e vrasjes së deputetit të tyre Fatmir Xhindi, të vrarë në maj të vitit 2009.

Gjithashtu, pak muaj më parë, ishin po banorët e qytezës së Roskovecit të cilët dolën në protestë duke kërkuar zbardhjen e vrasjes. Ish-deputeti tashmë i Partisë Socialiste në tre mandate në Roskovec, Fatmir Xhindi, u vra mbrëmjen e 2 majit 2009 në portën e shtëpisë së tij ku u qëllua me breshëri automatike në momentin e mbylljes së makinës.

ARRESTIMI
Kapet “tutori” fierak, shfrytëzoi si prostitutë një vajzë në disa shtete
TIRANË- Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, policia e Fierit mbrëmjen e së premtes ka arrestuar shtetasin Agron Cara i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “trafikut të femrave me qëllim prostitucionin”.

Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku kjo e fundit prej katër muajsh po hetonte Carën për “trafikun e femrave”.
Mësohet se me kërkesë të prokurores së çështjes, Elisabeta Imeraj, gjyqtari i vetëm i masave, Luan Hasneziri, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë ndaj Carës, vendim ky që është zbatuar mbrëmjen e së premtes nga policia duke e arrestuar. Sipas burimeve nga policia, mësohet se i arrestuari është kallëzuar nga vetë viktima, një vajzë nga Fieri me të cilën kishte edhe një fëmijë.

Sipas kallëzimit, i arrestuari ishte “martuar” 1997 me viktimën duke ikur në shtetin Italian për një jetë më të mirë. Sapo ka mbërritur atje, nën ushtrimin e dhunës dhe terrorit psikologjik vajza është detyruar të punojë në rrugët e shtetit fqinjë si prostitutë dhe më pas bashkë me të arrestuarin është larguar për në Belgjikë e Francë.
Edhe në këto dy shtete, mësohet se vajza fierake është detyruar të punojë si prostitutë deri në vitin 2003 kur ka mundur të largohet nga “tutori” Cara. Por, me ardhjen në Shqipëri, vajza është ndier e kërcënuar për jetën e fëmijës, pasi i arrestuari i ka kërkuar sërishm që të shkojë me të për të punuar si “prostitutë”, kërkesë të cilën e ka refuzuar vajza.
Mësohet se pas këtyre kërcënimeve, vajza i është drejtuar policisë duke denoncuar “tutorin” i cili për tre muaj është hetuar dhe dy ditë më parë i janë vënë prangat. Pritet që të hënën i arrestuari të dalë para togave të zeza për vleftësimin e arrestit dhe masën e sigurisë me personin.

Gazeta Shekulli

Vendoseni kte artikull :
[Ask] [blinklist] [del.icio.us] [Digg] [Facebook] [Google] [MySpace] [Reddit] [StumbleUpon] [Twitter] [Yahoo!] [Email]

Tags: ,


Fatal error: Call to undefined function yatcp_comments_template() in /home1/infoenea/public_html/lushnja.net/wp-content/themes/new2010/single.php on line 25