UPDATE – Brigadieri është arrestuar me akuzën e dëshmisë së rreme në gjykatë por ai është bërë i njohur kohë më parë për një tjetër fakt shumë të rëndësishëm.
Veiz Muça është njeriu i vetëm që ka denoncuar implikimin e djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berishës në tragjedinë e Gërdecit. Ky implikim ka ndodhur nëpërmjet mikut të tij, Rrahman Selmanllari, i cili drejtonte punimet në fabrikën e vdekjes.
Pak ditë pas shpërthimit tragjik, Muça ka rrëfyer për lidhjet e familjes kryeministrore si dhe për “Xhimin”, baxhanakun e Sali Berishës, i cili drejtonte operacionet në Gërdec.
I pyetur për “Xhimin”, Berisha tha në atë kohë se i vinte keq që kishte vdekur por nuk kishte arritur që ta njihte. Dëshmitë e Muçës për personat e rëndësishëm që drejtonin Gërdecin nuk “kanë rënë në vesh të prokurorisë”, e cila është kapur me të në lidhje me faktin që punonin apo jo të mitur në Gërdec. Ende nuk dihet nëse dëshmia është ndryshuar nga frika apo ka ndonjë arsye tjetër.
Muça është pyetur dje nga prokuroria në lidhje me funksionimin e fabrikës së Gërdecit por përgjigjet e tij kane qenë kryesisht të paqarta ose është mjaftuar me thënien “nuk e mbaj mend”. Edhe trupi gjykues është habitur me përgjigjet e dëshmitarit dhe disa herë i tërhoqi vëmendjen duke i thënë se po dëshmonte nën betim dhe duke i kërkuar që të jetë më i qartë në përgjigjet që jepte.
Pas dy orë deklarime kontradiktore dhe të kundërta me ato çfarë kishte deklaruar në prokurori, këta të fundit urdhëruan dy oficerët e çështjes që ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, që të kryejnë veprimet procedurale me arrestimin e tij për akuzën e “dëshmisë së rreme”.
Me të dalë nga salla e gjyqit, efektivët e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit i vendosen prangat dëshmitarit Muça. Prangosja e ish-brigadierit të punishtes së demontimit iu vendosen në sy të shtatë dëshmitarëve të akuzës që po prisnin për të hyrë në sallën e gjyqit për të dëshmuar.
Avokati i vetëm që u interesuar për mos arrestimin e përgjegjësit Muça brenda ambienteve të Gjykatës ishte avokati Arben Prifti që mbron interesat ligjore të të pandehurit Dritan Minxholli, i cili i kërkoi oficerëve që mos ta arrestonin ish-brigadierin e kësaj punishte. Por, kjo kërkesë e mbrojtësit nuk u miratua nga oficerët, të cilëve iu drejtua me fjalët “se unë do ta marr në mbrojtje të arrestuarin dhe do të vij në Drejtorinë e Policisë për të qenë i pranishëm si mbrojtës i tij ligjor”.
Ndërkohë, sipas prokurorëve të çështjes dëshmitari Muça në deklarimet e tija është shumë kontradiktor dhe ndryshe nga ato çfarë ka deklaruar para prokurorëve në fazën hetimore. Në sallën e gjyqit dëshmitari Muça deklaroi se në momentin e shpërthimit të fabrikës ai së bashku me të pandehurin Dritan Minxholli ndodheshin në restorant për të ngrënë drekë, ndërsa para oficerit kish deklaruar se “ishim rrugës duke ikur te restoranti për të ngrënë drekë”.
Gjithashtu i arrestuari Muça deklaroi se në fabrikë nuk kishte të punësuar fëmijë të mitur, ndërkohë, para oficerit të prokurorisë kishte thënë të kundërtën, duke dhënë edhe detaje në lidhje me kontrollin e certifikatave të lindjes këtyre të miturve.
Kontradikta tjetër që u konstatua nga prokuroria, ishte fakti se në fabrikë gjatë punës së demontimit Muça deklaroi në sallën e gjyqit se nuk kishte pas ndonjë incident tjetër, ndërsa para prokurorisë kishte shpjeguar nj rast kur një arkë me fishekë kishte marrë zjarr. Gjatë deklarimit të djeshëm, Muça theksoi se në kishte parë në fabrikë amerikanin Patrik Henry e një tjetër me emrin Rodi, ndërkohë gjatë fazës së hetimit nuk i kishte përmendur këta shtetas të huaj.
Në fjalën e tij ai pranoi se aty punonte edhe baxhanaku i kryeministrit Sali Berisha i ndjeri Muhamet Hoxha i cili bashkë me një grup personash të tjerë numëronin arkat e fishekëve dhe predhave që vinin nga depot e armatimeve të Ushtrisë.
*****
Dëshmitë për Gërdecin: Fabrika ishte hapur para se të jepej leja
UPDATE – Ka vijuar sot seanca gjyqësore në ngarkim të 26 të pandehurve të Gërdecit, me dëshmi të reja të ish-punëtorëve që hedhin dritë mbi ngjarjen e rëndë.
Kështu, sot, roja i fabrikës ka deklaruar se kishte filluar punë në shkurt të 2007-ës, kohë kur me letra fabrika nuk figuronte.
Në dosjen e prokurorisë për Gërdecin rezulton se “në v.2007 ende nuk ishte shpallur vendi ku do demontoheshin municionet dhe vetem nje muaj me pas qeveria ka marrë vendimin për proceduren e trajtimit të armëve, teknikes dhe pajisjeve të forcave te armatosura te hequra nga armatimi dhe perdorimi”.
Po sipas prokurorisë, që i referohet shkresave zyrare janë dashur edhe tre muaj të tjerë që Ministria e Mbrojtjes të nxjerrë një urdhër për përzgjedhjen e kompanise së huaj ‘Sac’ dhe shoqerine e nenkontraktuar ‘Albademil’ per proceduren e shitjes se municioneve me gezhoje tunxhi.
Me dëshminë e sotme të ish-rojes Beqir Prini, prokuroria duhet të ballafaqojë dokumentet e sekuestruara, për të hedhur dritë mbi të dhënat e reja mbi tragjedinë që mund të rëndojnë pozitat e të akuzuarve.
***
Tre dite me pare deshmuan 10 ish-punonjës të fabrikës, mes tyre edhe disa fëmijë. Ndër të tjera ata i thanë trupës gjyqësore se në fabrikë punonin edhe disa amerikanë edhe pse nuk mundën të japin prova të tjera, si emrat apo funskionet e tyre.
Ndërkohë njëri prej të pandehurve, ish-ushtaraku Sokol Ngjeci, ish-mbikëqyres i MEICO-s, akuzoi prokurorinë se po ua bën gabim pyetjet dëshmitarëve.
“Nuk mundet që prokurori të pyesë: A ishin demontuar armë, sepse Forcat e Armatosura nuk kishin dërguar armë por municione”, tha ai. Kjo kërkesë nuk u mor parasysh dhe seanca vazhdoi normalisht sipas rendit.
Dhjetë personat e pyetur sot rrëfyen rrethanat si ishin punesuar ne kete fabrike dhe si ndodhi shperthimi. Dëshmitë e tyre ishin të ngjashme me ato të ish-punëtorëve të tjerë që kanë dëshmuar në këtë proces.
Deshmitaret i thane gjykates se mes te pandehurve njihnin, Dritan Minxhollin me detyre ish- drejtor i fabrikes. Sipas tyre, ai ishte punedhenesi i tyre.
***
Gjykata e Lartë ka nisur me 15 Janar shyrtimin e padisë ndaj Fatmir Mediut, ish ministër i Mbrojtjes, i paditur nga te demtuarit e tragjedise se Gerdecit. Seanca nuk zgjati shumë, ajo u shty me justifikimin se i pranishëm duhet të ishte edhe vete Mediu, i cili përfaqësohej nga avokatët mbrojtës. Sipas trupit gjykues, kryesuar nga gjyqtarja Ariana Fullani, seanca e radhës do të jetë në datën 25 janar.
Shqyrtimi në gjykatë vjen pas padisë së dorëzuar nga familjarët e viktimave, konkretisht nga 12-vjeçari Roxhers Durda, i cili humbi nënën në tragjedinë e Gërdecit.
Vetem një dite me pare, familjarët e viktimave të Gërdecit i bën apel prokurorisë të përgjigjet për padinë e tyre ndaj ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Gjatë një deklarate për mediat, ata kujtuan se kërkesa-padia është dërguar që në muajin nëntor, ndërkohë që nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Sipas tyre, duke qenë se afati ligjor për kthimin e përgjigjes ka kaluar dhe Prokuroria po hesht ata do të përgatisin hapat përkatës për ta kërkuar këtë të drejtë përmes sistemit gjyqësor.
“Nëse institucioni i Prokurorisë nuk siguron kthimin e një përgjigje shumë shpejt, një përballje gjyqësore ndërmjet palës së dëmtuar dhe organit të akuzës, do të jetë e pashmangshme”- tha kreu i Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Tragjedisë së Gërdecit, Feruzan Durda.
Sipas tij, në emër të shoqatës, pas pranimit të kërkesë-padisë sonë në kuadër të të plagosurve të tragjedisë nga Gjykata e Lartë, që në muajin nëntor i jemi drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesën për procedim të Fatmir Ali Mediut. Me anë të kësaj u kërkua që Prokuroria të kryente veprimet e duhura për procedimin e fajtorit të shpërthimit. Gjithashtu, u kërkua që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë autorizimin për procedim në mënyrë që Kuvendi të votonte për heqjen e imunitetit, çka do bënte më pas të mundur vënien para drejtësisë të Fatmir Ali Mediut.
Gazeta Shekulli

![[Ask]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/ask.png)
![[blinklist]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/blinklist.png)
![[del.icio.us]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/delicious.png)
![[Digg]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/digg.png)
![[Facebook]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/facebook.png)
![[Google]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/google.png)
![[MySpace]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/myspace.png)
![[Reddit]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/reddit.png)
![[StumbleUpon]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/stumbleupon.png)
![[Twitter]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/twitter.png)
![[Yahoo!]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/yahoo.png)
![[Email]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/email.png)