Gjykata liron ish-brigadierin e Gërdecit: Arrestimi, i paligjshëm
Gjykata e Tiranës i ka ridhënë lirinë ish-përgjegjësit të fabrikës së Gërdecit, Veiz Muça që vetëm tre ditë më parë u arrestua në sallën e gjyqit për dëshmi të rreme.
Sot u vendos masa e arrestit ‘detyrim paraqitje’. Trupi gjykues tha se arrestimi i tij për dëshmi të rreme ishte i paligjshem. Ndërsa prokuroria tha se Veiz Muça që thirrej nga të ish-punonjësit e fabrikës me emrin “Vangjel”, ka tentuar t’u devijojë të gjitha thënieve të tij dhënë para hetuesve, me qëllim që të lehtësonte pozitën e të pandehurve.
Brigadieri është arrestuar me akuzën e dëshmisë së rreme në gjykatë por ai është bërë i njohur kohë më parë për një tjetër fakt shumë të rëndësishëm.
Veiz Muça është njeriu i vetëm që ka denoncuar implikimin e djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berishës në tragjedinë e Gërdecit. Ky implikim ka ndodhur nëpërmjet mikut të tij, Rrahman Selmanllari, i cili drejtonte punimet në fabrikën e vdekjes.
Pak ditë pas shpërthimit tragjik, Muça ka rrëfyer për lidhjet e familjes kryeministrore si dhe për “Xhimin”, baxhanakun e Sali Berishës, i cili drejtonte operacionet në Gërdec.
I pyetur për “Xhimin”, Berisha tha në atë kohë se i vinte keq që kishte vdekur por nuk kishte arritur që ta njihte. Dëshmitë e Muçës për personat e rëndësishëm që drejtonin Gërdecin nuk “kanë rënë në vesh të prokurorisë”, e cila është kapur me të në lidhje me faktin që punonin apo jo të mitur në Gërdec. Ende nuk dihet nëse dëshmia është ndryshuar nga frika apo ka ndonjë arsye tjetër.
Muça është pyetur dje nga prokuroria në lidhje me funksionimin e fabrikës së Gërdecit por përgjigjet e tij kane qenë kryesisht të paqarta ose është mjaftuar me thënien “nuk e mbaj mend”. Edhe trupi gjykues është habitur me përgjigjet e dëshmitarit dhe disa herë i tërhoqi vëmendjen duke i thënë se po dëshmonte nën betim dhe duke i kërkuar që të jetë më i qartë në përgjigjet që jepte.
Pas dy orë deklarime kontradiktore dhe të kundërta me ato çfarë kishte deklaruar në prokurori, këta të fundit urdhëruan dy oficerët e çështjes që ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, që të kryejnë veprimet procedurale me arrestimin e tij për akuzën e “dëshmisë së rreme”.
Me të dalë nga salla e gjyqit, efektivët e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit i vendosen prangat dëshmitarit Muça. Prangosja e ish-brigadierit të punishtes së demontimit iu vendosen në sy të shtatë dëshmitarëve të akuzës që po prisnin për të hyrë në sallën e gjyqit për të dëshmuar.
Avokati i vetëm që u interesuar për mos arrestimin e përgjegjësit Muça brenda ambienteve të Gjykatës ishte avokati Arben Prifti që mbron interesat ligjore të të pandehurit Dritan Minxholli, i cili i kërkoi oficerëve që mos ta arrestonin ish-brigadierin e kësaj punishte. Por, kjo kërkesë e mbrojtësit nuk u miratua nga oficerët, të cilëve iu drejtua me fjalët “se unë do ta marr në mbrojtje të arrestuarin dhe do të vij në Drejtorinë e Policisë për të qenë i pranishëm si mbrojtës i tij ligjor”.
Ndërkohë, sipas prokurorëve të çështjes dëshmitari Muça në deklarimet e tija është shumë kontradiktor dhe ndryshe nga ato çfarë ka deklaruar para prokurorëve në fazën hetimore. Në sallën e gjyqit dëshmitari Muça deklaroi se në momentin e shpërthimit të fabrikës ai së bashku me të pandehurin Dritan Minxholli ndodheshin në restorant për të ngrënë drekë, ndërsa para oficerit kish deklaruar se “ishim rrugës duke ikur te restoranti për të ngrënë drekë”.
Gjithashtu i arrestuari Muça deklaroi se në fabrikë nuk kishte të punësuar fëmijë të mitur, ndërkohë, para oficerit të prokurorisë kishte thënë të kundërtën, duke dhënë edhe detaje në lidhje me kontrollin e certifikatave të lindjes këtyre të miturve.
Kontradikta tjetër që u konstatua nga prokuroria, ishte fakti se në fabrikë gjatë punës së demontimit Muça deklaroi në sallën e gjyqit se nuk kishte pas ndonjë incident tjetër, ndërsa para prokurorisë kishte shpjeguar nj rast kur një arkë me fishekë kishte marrë zjarr. Gjatë deklarimit të djeshëm, Muça theksoi se në kishte parë në fabrikë amerikanin Patrik Henry e një tjetër me emrin Rodi, ndërkohë gjatë fazës së hetimit nuk i kishte përmendur këta shtetas të huaj.
Në fjalën e tij ai pranoi se aty punonte edhe baxhanaku i kryeministrit Sali Berisha i ndjeri Muhamet Hoxha i cili bashkë me një grup personash të tjerë numëronin arkat e fishekëve dhe predhave që vinin nga depot e armatimeve të Ushtrisë.
*****
Dëshmia në prokurori e Veiz Muçës mbi rolin e njerëzve të afërt të Rahman Selmanllarit
Pyetje: Në deklarimin e datës 21.04.2008, të bërë nga ana juaj ndër të tjera keni thënë se .”Di t’ju them se Mihal Delijorgji, ka ardhur rreth dy tre here në muaj gjatë projektit të parë, ai merrte kontakt me Dritanin dhe shikonte çdo proces pune që zhvillohej aty. Po ashtu gjatë gjithë kohës kanë qenë prezent 6 persona, të cilët quhen Seran Maçi, Haxhi Mara, Endri Osmani, Nazmi mbiemri nuk me kujtohet, Bernard mbiemri nuk me kujtohet dhe Klejdi mbiemri nuk me kujtohet. Ju sqaroj se këta persona unë nuk e di se çfarë përfaqësonin, por di t’ju them se ata merreshin me evidentimin e sasisë dhe llojit të municionit që hynte në ndërmarrje. Ju sqaroj se ata rrinin tre vetë deri në orën 07.00 të darkës dhe tre të tjerët rrinin deri të nesërmen në mëngjes.”
Na sqaroni edhe një here në ç’rrethana jeni njohur me këta persona, ç’përfaqësonin personat që ju keni përmendur më lart, cili ishte roli i tyre në firmë, koha kur ata kanë punuar, puna që kryenin dhe gjithçka që ju keni mësuar rreth këtyre personave?
Përgjigje : Sqaroj se personi qe unë kam deklaruar me emrin Endri Osmani, realisht është Endri Dvorani dhe është një gabim nga ana ime. Me të gjithë shtetasit e mësipërm jam njohur nëpërmjet punës në firmën Albademil në Gërdec dhe në lidhje me rrethanat e njohjes, ju sqaroj: Në kontratën e parë të demontimit të fishekëve në Gërdec, unë nga personat e mësipërm fillimisht kam njohur Seran Maçin, Haxhi Maren, Endri Dvoranin, Nazmiun, Bernardin dhe Klejdin, të cilët ishin personat prezent gjatë shkarkimit të makinave të ushtrisë, numërimit dhe marrjes në dorëzim të arkave me municione nga ana e firmës. Krahas këtyre personave, prezent gjatë këtij procesi, kam fiksuar Kastriotin dhe Dashin, mbiemrat e të cilëve nuk i kujtoj, por di që këto të dy ishin punonjës të firmës së sigurimit. Në lidhje me njohjen me personat e mësipërm dua t’ju sqaroj si më poshtë për secilin prej tyre.
Seran Maçi, ishte magazinier i ndërmarrjes MEICO dhe përfaqësonte këtë ndërmarrje, gjatë marrjes në dorëzim të municioneve nga repartet ushtarake tek firma Albademil. Dua të sqaroj së Serani, çdo ditë vinte në punë me makinën e tij, ku me vete merrte edhe Nazmiun, sepse banonin pranë njëri-tjetrit. Në kontratën e dytë të demontimit të predhave, kam konstatuar se Serani nuk punoi me si magazinier i MEICO, por kryente të njëjtin proces pune të numërimit të arkave me municione dhe evidentimit të tyre në një libër magazine, por që nuk ishte për llogari të ndërmarrjes MEICO apo to firmës Albademil, sepse magazinier për ndërmarrjen MEICO, ishte caktuar shtetasi Artur Ballabani, ndërsa magazinier i firmës Albademil, ishte caktuar shtetasi Endri Dvorani. Di të them se shtetasi Seran Maçi, ka punuar në Gërdec deri ditën e ngjarjes. Për Haxhiun di që ai kishte punuar si nënoficer në ushtri në Maminas, në mos gabohem. Në kontratën e dytë Haxhiu merrej me numërimin e arkave me municion dhe çdo të dhëne, pasi rakordonte me shokët ia jepte Seran Maçit, i cili mbante evidencën. Mund t’ju sqaroj se Haxhiu ashtu si dhe Serani, në kontratën e dytë të demontimit të predhave, nuk ishin as punonjës të ndërmarrjes MEICO dhe as të firmës Albademil. E them këtë sepse emri i tij në kontratën e parë ishte në borderotë e Albademil, ndërsa në kontratën e dytë ai nuk ishte i regjistruar në borderotë e Albademil. Endri Dvorani, në kontratën e parë ka qenë në përbërje të grupit të personave që merrej me numërimin dhe evidentimin e municionit. Ndërsa në kontratën e dytë të demontimit të predhave, ai ishte në rolin e magazinierit të firmës Albademil dhe evidentonte sasinë dhe llojin e municionit, po ashtu ai merrte në dorëzim këtë municion dhe ishte i ngarkuar me evidentimin e lëvizjes së nënprodukteve jashtë firmës Albademil si dhe të evidentimit të materialeve ndihmëse për procesin si thasë, kuti, karburant, etj. Në lidhje me kalimin e shtetasit Endri Dvorani tek firma Albademil, gjatë kontratës së dytë të demontimit të predhave, ju sqaroj se ai është zëvendësuar me shtetasin Muhamet Hoxha (Baxhanaku i Sali Berishës). Ndërsa Jusufaj unë e kam gjetur në Gërdec, kur kam filluar punë, në kontratën e parë. Ai ka punuar në numërimin dhe evidentimin e arkave me municion, por ju sqaroj se ky shtetas nuk punonte as për ndërmarrjen MEICO dhe as për firmën Albademil, pasi nuk ka qenë në asnjë rast i regjistruar në borderotë e Albademil. Edhe gjatë kontratës së dytë ky shtetas punonte me grupin e Seran Maçit. Ju sqaroj se Nazmiu ka qenë në punë prezent edhe ditën e ngjarjes. Bernardi, edhe këtë shtetas e kam parë të punojë në të dyja kontratat, ai ka punuar së bashku me Nazmiun, pra as në ndërmarrjen MEICO dhe as në firmë. Klejdi, edhe këtë shtetas e kam parë të punojë në të dyja kontratat, ai ka punuar së bashku me Nazmiun. Klejdi qëndronte gjithmonë vetëm natën.
Konflikti me kunatin e Berishës
Muhamet Hoxha ka filluar punë diku nga fundi i janarit 2008 edhe këtë shtetas e kam parë të punoje gjatë kontratës së dytë, me grupin e Seran Maçit. Në lidhje me këtë shtetas ju sqaroj se në një rast Muhameti, po lante makinën në vendin ku linte makinën Dritani. Dritani e pa dhe më ka thënë mua personalisht “…po nuk e hoqi ai makinën për pesë minuta (për Muhametin), atëherë je i pushuar nga puna.”, kur unë ia thashë këtë gjë Muhametit, prezent aty ka qenë dhe Haxhi Mara, i cili i tha Muhametit që ta hiqte makinën që të mos bëheshim me llafe. Në lidhje me grupin e këtyre personave dua të sqaroj se unë në një rast, gjatë realizimit të kontratës së dytë, kam debatuar me ta për probleme pune. Më konkretisht këta gjashtë persona ishin shqetësues për mua për faktin se në momentin që vinin makinat e ushtrisë për të shkarkuar municionet, ata ende pa u renditur makinat në vendin ku do të shkarkoheshin, hipnin sipër makinave për të evidentuar sasinë dhe llojin e municionit. Në lidhje me këtë shqetësim që unë kisha me ta, këtë fakt e kishte mësuar dhe drejtori Dritan Minxholli, nëpërmjet tyre, ku ai më ka takuar dhe më është shprehur tekstualisht “…mos u merr me ta.” , unë e sqarova se si ishte problemi, por ai përsëri më urdhëroi që unë të mos merresha me ta dhe ta vazhdoja punën. Në lidhje me personat e mësipërm, krahas meje këta persona njiheshin edhe nga punëtorë të tjerë të firmës Albademil. Po ashtu ata njihen edhe nga ana e personelit të dy firmave të sigurimit privat.
Gazeta Shekulli
![[Ask]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/ask.png)
![[blinklist]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/blinklist.png)
![[del.icio.us]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/delicious.png)
![[Digg]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/digg.png)
![[Facebook]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/facebook.png)
![[Google]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/google.png)
![[MySpace]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/myspace.png)
![[Reddit]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/reddit.png)
![[StumbleUpon]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/stumbleupon.png)
![[Twitter]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/twitter.png)
![[Yahoo!]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/yahoo.png)
![[Email]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/email.png)

