Ky opsion nuk do të kthej faqen kryesore të kësaj web-faqeje. Rivendosjen e ndonjë Widgets janë mbyllura ose të kategori.

Vë në vend
Horoskopi Ditor Horoskopi Mujor Horoskopi Vjetor
Filma Me Titra Shqip Filma Shqiptar Humor Komedi Videoklipe
Vizion Plus RTV 21 Live TVSH Albania Tv Klan Super Sonic TV Junior Tv Tv Alsat RTK Live
Show Biz Bota Ekonomia Kultura Kuriozitete Lushnja Politika Rajoni Shendeti Sport Teknologji
Mp3 Player Chat
Poezi dhe krijime tuajat Shto krijime tuajat
SmS Falas Shkarko Portokalli Shkarko Youtube Video
Historia e Lushnjes Monumentet e Kultures Statistika
  • Bashkia
  • Rregjistrimi i Popullsisë, letër e hapur kryeministrit Berisha

    SaliBerisha_1432780cMadhështia e marrëzia njerëzore janë si dy anë të së njëjtës medalje, nuk dihet ku fillon njëra e ku mbaron tjetra; njeriun që bën kalanë bën edhe hatanë.

    Nëse do ta shikonit veten ashtu siç ju shikoj e nga ku ju vëzhgoj unë, me siguri do t’ju vinte turp e do ti binit hasha vetvetes; “Ta marrë vesh gjithë Bota mbarë se ne s’jemi shqiptarë”! (kështu do na shpëtonit nga marrja edhe ne që kemi këtë kombësi).

    Po ju drejtohem bash Ju zotni Berisha, si Kreu i vendit e si zot shtëpie në Shqipëri, jo se të gjitha fajet për krizën e dyfishtë që ka mbërthyer vendin janë të qeverisë, e të kryetarit të saj, Jo! Një pjesë e mirë e përgjegjësisë politike, peshon edhe mbi opozitën e mbi kryetarin e saj. Por, sepse Ju jeni Kryeministër dhe shqiptarët presin zgjidhje prej teje. Nëse kriza zgjidhet “merita” vesh me “serm” fronin e Berishës, në të kundërt i faturohet “faj” selisë rozë e harxhet do ti paguaj Edi Rama. E drejtë apo e pa drejtë do ta marrim vesh më vonë, ( o mbase kurrë), por ajo çka është destinuar për të ndodhur sot nuk pret për nesër, prandaj, të gjithë krerët tanë politikë duhet ti bëjnë mirë hesapet, por ai që duhet ta mprehë mirë kalemin sot, është “humbësi”, sepse “fituesi” është kaluar.

    Pas gjashtë muajsh nga zgjedhjet,”sovrani” popull është akoma në “fushë të mejdanit, i ndarë më dysh; në “të vjedhur” e “vjedhës”. Ndërsa “gushëbardhi” i LSI-së fërkon duart e çukit në “thërrimet e “luanëve”. As Rama e as Berisha nuk mund të tërhiqen mbrapa. Jo se nuk duan, por sepse janë me shpatulla pas “murit”, të cilin ata vetë kanë krijuar me të “vërtetat a rrenat” e tyre. E vetmja gjë që ata mund të bëjnë sot para zgjedhësve të tyre, është; aty ku janë, në istikamet e tyre, të “zhvishen” nga egoja e tyre, që njerëzit ta shohin të vërtetën lakuriq. I pari, se ka për herë të parë, del nudo edhe në sheshin Skënderbeg. Problem është i dyti, i cili edhe pse flet frëngjisht nuk është “allafrënga” e nuk mund të zhvishet në hallk, aq më tepër në këtë moshë e në bisht të karrierës. Jo Edvin, harroi kutitë! Se çfarë do ti japë në vend të kutive, vetëm Sala e di, çdo gjë, veç Fronit. Mirëpo Edvini bash aty e ka syrin. Ky ngërç politik, që po kthehet edhe social ekonomik, mund të zgjidhet me një kompromis politik të arsyeshëm e të pranueshëm për të dyja palët, në të kundërt, zgjidhet vetëm nga zgjedhjet, me votën e lirë të sovranit popull.

    Na ishte seç na ishte; Kaherë e mot, një kryelepur, me famë për bëmat e tij në mbrojtje të drejtave themelore të lepujve, i dëshpëruar nga persekutimi i vazhdueshëm i më të fortëve të pyllit, mblodhi gjithë lepujt, dhe, mbasi pranuan se ishin më të dobëtit e më frikacakët e pyllit, për ti dhënë fund, njëherë e mirë tmerrit të pafund, vendosën unanimisht të mbytën në pellgun më të afërt dhe, u turrën me të katra, teposhtë. Kur mbërritën në breg të gjolit, panë bretkosat që u zhytën në ujë nga frika.
    “Ndaloni trima!” reflektoi kryelepuri, “nuk qenkemi ne të fundit, qenka dikush në këtë botë që na e paska frikën”, u trimërua kyelepri dhe deklaroj; -”ta marrë vesh gjithë bota mbare se lepujt nuk janë shqiptarë!” (morali i fabulës; më mirë mut se “më i vogël”)

    Që nga ajo ditë e deri më sot, edhe lepujt, të lumtur e të gëzuar, (si ne e ma zi), mbijetojnë në këtë dynja me dhelpra, ujqër, luanë e elefantë, si gjithë qytetarët e tjerë të botës, të regjistruar, me karta identiteti e pasaporta por, ndryshe nga ne shqiptarët, pa deklaruar as shtetësi, as kombësi, as etni e as besim fetar; e jo vetëm ata të bjeshkës, por edhe ata të fushës, madje edhe ata të Vorio – Epirit.
    “Në këtë kontekst të mendosh se deklarimi i besimit fetar përbën një element supozojmë përçarës fetar, kjo nuk qëndron. Nuk ka asnjë bazë reale, sepse këtu në Shqipëri si askund tjetër njerëz me besime të ndryshme fetare kanë jetuar në harmoni në të gjitha kohërat”, (S. Berisha – shekulli ).
    Po Zoti kryeministër, po! Që shqiptarët mysliman, katolik, bektashinj e ortodoks, kanë jetuar e po jetojmë, fal Zotit e urtësisë së tyre, edhe sot në harmoni shqiptare, e dimë e jemi të lumtur e pse jo edhe krenar, pasi është shenjë qytetarie, mbase nga të paktat që na kanë mbetur nga qesja e vlerave tradicionale shqiptare. Zaten bash për këtë jam i preokupuar; pse po doni me na e prish këtë shqiptari, të vetmen “fe” që na bashkon? Jo, Salih, jo!
    Të kam parë që shkon në kishë, por nuk e di a falesh në xhami? Emrin e ke mysliman e mbiemrin shqiptar; çfarë je ti zoti Kryeqeveritar; i krishterë, mysliman, laik, ateist apo shqiptar?
    Shqiptarët janë katolik, mysliman, bektashinj e ortodoks, laik e ateistë dhe, bashkëjetojnë në harmoni, po shteti i tyre që ju kryesoni i çfarë besimi është?
    Nëse është vërtetë shtet laik, ashtu siç duhet të jetë, pse u dashka që makina qeveritare duhet të hyjë në “shpirtin” e lirë të populli të vet, për ta trazuar? (me një perspektivë për ta rrënuar).
    Apo edhe kjo i bashkohet iniciativës së qeverisë kinse “evropiane” për të legalizuar martesën gay?

    Pse shtireni e kërkoni të bëni gjëra banale e të mbrapshta në vend që të bëni të vyera e në dobi të shqiptarëve? Jo, Salih, jo!

    Për të fituar simpatinë e Evropës dhe të një populli të cilit i kërkoni votën, ka plot rrugë e mënyra më të thjeshta e më të denja se falja tokës dhe e ujit, shitja e shpirtit, dhunimi i dinjitetit dhe cenimi i identitetit.
    Ju thoni se “populli shqiptar nuk ka nevojë për identitet”, (S. Berisha- shekulli), uroj të jetë kështu, por nuk ma do mendja, sepse nuk ka se si të jetë kështu, pasi edhe shqiptarët, ndonëse “vrima e fundit e kavallit”, në Ballkan e në Evrope, bëjnë pjesë në racën njerëzore, për të cilën identiteti është ndër kushtet themelor të ekzistencës dhe, jo vetëm për shqiptarët, një grusht njerëz e dy gisht tokë, por edhe banorët superfuqi botërore, ai që i mbanë të ngjizur është bash identiteti, në bazë të cilit, është toka ku ata gjallojnë, të vdekurit mbi të cilët ata ndërtojnë historinë e tyre, qielli nën të cilin njerëzit bashkëjetojnë duke ëndërruar e projektuar të ardhmen,(me qiell, simbolikisht kam parasysh besimet dhe relacionet me universin), gjuha me të cilën komunikojnë, kultura që ata ndërtojnë dhe në fund politika me të cilën ata organizohen e qeverisen.
    Po të gërmojmë në rrënjët e identitetit me siguri do hasim në instinktin e vetëmbrojtjes, një ndër kushtet esenciale të mbijetesës që tek njeriu, si qenie e arsyeshme, shfaqet në forma të ndryshme, nga më të rafinuarat racionale të cilat shpesh degjenerojnë në pasione etnike, fetare, nacionaliste, raciste, politike, shoviniste, etj.

    Ndalova në këtë “lapsus”, jo për ti “treguar babait arat” pasi e di që doktori profesor, i di mirë këto punë, kulturën, pjekurinë e dijen e të cilit e çmoj, por ajo që më bën të vë gishtin në plagë është “dyshimi” mos ky lapsus, i shkarë nga pasioni, është i famshmi “lapsusi Frojdian”?!

    Nëse ka një gjë që ne shqiptarët duhet të krenohemi, është bash bashkekzistenca paqësore midis nesh e me popujt për rreth. Bash këta të fundit dhe të tjerë edhe “më të mëdhenj” na kanë tkurrur e cunguar si “kokoshin në një thelë”. Dhe sot, sikur të mos na mjaftojë gjëma e shkuar historike, prijësit tanë modern, luajnë “cinglash” me ne duke na detyruar edhe sot të marrim rrugët e kurbetit, dhe “lojë botash” për të fituar për vete duke “falur” trojet tona: nuk janë të kënaqur me ç’na kanë marrë por duan edhe me iu dhënë, jo vetëm një rriskë det, por po u përgatisin edhe tortën, “Tokën e premtuar” komshinjve të moçëm për Vorio – Epirin. Jo Salih, jo! Strategji, diplomaci por jo “Allah, Allah Sali”!

    E çfarë duhet të bëjmë sot në një shoqëri demokratike për të mbrojtur identitetin e tërësinë tokësore shqiptare? Të ngjeshim armët e ti shpallim luftë, kujt? Grekut që na e ka “kërkue”, apo Saliut që po do me ia “dhurue”? Jo Salih, jo!

    Zoti Kryeministër i vendit tim, nëse nuk përbën sekret politik as shtetëror, na shpjego me dy fjalë; Ç’dobi do na sjellë ky pazar uji, besimi, etnie dhe identiteti?

    Për një vizë Athine? Për një pasaportë greke? Për një kafshatë bukë me gjak që na japin efendikojtë grekë? Për dy deputet minoritar në parlament? Apo për të rritur fetën elektorale në Jug? Si strategji politike mund të jetë e dobishme e përkohshme për ju si individ lider, edhe e për partinë tuaj, por do të ishte një pazar i ulët me pasoja të rënda afatgjata për partinë demokratike, e mbi të gjitha popullin e vendin tonë që quhet Shqipëri e jo Jug e Veri e as Vorio – Epir. Jo, Salih, Jo! Besa, besë, edhe grekët por pa pre në besë shqiptarët! Ajo çka Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë sot, është; mos me e përça për ta sunduar, e mos me shitë për të “fituar”.

    “Në këtë kontekst, dua te shtoj se nëse ndokush nuk do të dojë të deklarojë besimin e tij, le të mos e bëjë, si dhe ai që ndihet ateist le ta deklarojë që është ateist. Kjo është një shoqëri e lirë. Sigurisht ka dhe ateistë. Nuk shoh këtu as dëmin më të vogël. (S. Berisha, shekulli)

    Zoti kryeministër, nëse nuk e shihni ju nuk do të thotë se “nuk ka dëm”. Ka që ç’ke me të, bile të madh fare. E bash kjo, që ju nuk e shihni o bëni sikur nuk e shihni, më preokupon.
    Për një qëllim të mirë dhe orientuar drejt principeve të larta, është e drejta legjitime e çdo lideri shpirtëror e politik, të rrisë masën e dishepujve, pasi ky është misioni i tij për tu realizuar, por e kundërta, do të ishte e pa moralshme, madje tradhti e lartë ndaj tyre, e në fund bash vetëvrasje.
    Jo për të lënduar e as për të akuzuar, pasi ju çmoj vërtetë si burrë të mençur, të ndershëm, të fjalës e patriot, por thjeshtë për t’iu kujtuar e për të reflektuar; në “‘97″ famëkeqe, kur FMN-ia lëshonte alarmin kundra sistemit piramidal me fajde(‘96), Ju, asokohe në rolin e Presidentit të shteti, më i besuari i shqiptarëve, që jetoje në apartament me popullin, njësoj si ata, përgënjeshtrove Fondin Monetar dhe u bëre garant për mashtruesit fajdexhinj kapterë,ish hafije e oficerë të sigurimit.

    Këtë faj të rëndë, ta kemi fal, por e kemi të filmuar e incizuar në memorie dhe, nuk duam që të përsëritet më kurrë! Asokohe nuk qemë në gjendje të dallonim çiltërsinë tuaj nga miopia, para një mashtrimi masiv nën dritën e diellit nën hundët dhe në bashkëpunim me qeverinë demokratik. Nisur nga fakti që Ju ishit ngujuar në “kullën e fildishtë të Presidencës”; jam i predispozuar t’iu konsideroj “të pafajshëm” për çka kishte ndodhur deri atëherë kur FMN-ia lajmëroj rrezikun që kërcënonte shoqërinë e demokracinë në përgjithësi, rrezik që shqiptarët e paguan shtrenjtë, madje edhe me gjak e jetë, por në momentin kur Ju, Presidenti im, u bëtë garant për hajdutët e vrasësit, çfarë duhet të mendojmë për Ju? Që je naiv e miop, burrë i fjalës, i pabesë apo bashkautorë me ta?

    Jo, Salih, jo! Këtë të fundit damkë, veç kundërshtarëve tuaj politikë, nuk ta kemi vënë, përkundrazi; të kemi besuar si politikan i ndershëm e i papërlyer, ta kemi falur si “gabim nga nxitimi”, madje të kemi rizgjedhur për në krye të vendit dhe, për të qenë më të sigurt nga “mijtë hajdutë e dallkaukë”, të kemi bërë bash kryetar qeverie.

    Të njëjtin gabim je duke bërë edhe sot. Po bëhesh garat për “ujkun” duke i besuar “delet” e tua. Jo, Salih, jo! Tepër bujare për tu besuar!

    Të gjithë shqiptarëve e, sidomos atyre myslimanë emigrant në Greqi u është dashur të ndërrojnë emrat dhe fenë, për një copë letër në këmbim të identitetit, madje edhe të konvertuar me dy fe e me dy emra, u duhet të durojnë e të kapërdinë me dhimbje turp përçmimin, racizmin e një feudali afendiko që ka pese dhrahmì më shumë. Ne nuk e kemi bërë një gjë të tillë me të parët e tyre kur vinin në Vorio – Epir, me lyp. Jo, Salih, jo! Ne u kemi dhënë bukë, e nuk duam të na e kthejnë me gurë! E po t’iu bjerë nevoja u japim prapë, bukë, kripë e ujë me gjithë zëmër, por nuk mund tu falim det, as tokë. Gjymert e bujar por me karar, jo altruist fodull. S’kemi pse tu lajmë këmbët feudalëve moderne grek që fryhen si kaposha në Akropolin antik e as ti nënshtrohemi kamxhikut që fshikullojnë me arrogancë nga maja e Olimpit.
    Duke u falur ujë, tokë e njerëz, athua do ta fitojnë dinjitetin motrat e vëllezërit tanë në Greqi?
    A nuk do të ishte më e udhës që qeveria e shteti jonë të krijonit kushte politike dhe ekonomike shtetasve shqiptarë në Dheun e tyre, në shtëpinë e tyre, se sa të shpërblejë padronët e tyre në Athinë?
    “Pavarësisht se jo në çdo vend bëhet kjo formë regjistrimi, ne na takon ta bëjmë. Është një dëshirë absolutisht legjitime dhe shumë e drejtë, (S. Berisha -shekulli, 27. 01. 2010)
    Dëshira dhe e drejta e kujt zoti Kryemistër i shqiptarëve; e juaja, e jona apo e atyre?

    “Regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike e fetare ishte një ndër 6 pikat e ultimatumit që ish-kryeministri grek Miçotaqis i paraqiti në korrik 1993 Berishës së Parë. Berisha i Dytë, deri më sot, kishte zbatuar pesë nga gjashtë pikat, madje në 2009 i bëri së bijës së Miçotaqisit, zonjës Bakojanis, një dhuratë të papritur, marrëveshjen për faljen e hapësirës detare, që babai i saj nuk kishte guxuar ta kërkonte në 1993…Shqipëria, që me kushtetutë vetë-shpallet shteti i qytetarëve pa dallim kombësie e besimi, detyrohet tani, nën presionin grek, të zbresë në nivelin e një shteti që vendos shenja dallimi midis shtetasve të vet. (P.Xhufi, shekulli)

    Mos vallë edhe ky historian politikan e diplomat, është sharlatan si politikanët, ekspertët e historianët e tjerë që kanë ngritur zërin për bashkatdhetarët e truallin e tyre? (mirë Nano, se atje e ka barkun, po ti o Salih i Lokes që t’ka pjell pushka prej qarku?) Kësaj si t’ia vë emrin; bujari, largpamësi, çiltërsi, ndershmëri, burrëri, besnikëri, naivitet, pabesi, miopi, apo strategji politike? (në favor të kujt?). Jo Salih, jo, nëse historiani diplomat thotë të vërtetën, kjo nuk është besnikëri, as bujari por marrì.

    Zoti Kryeministër, a do të kenë ndonjë herë një përgjigje këto “mistere”, apo do tua shisni shqiptarëve të varfër bashkë me paketën “Dixhitalcom” si fiction mediatik? (nuk pretendojmë të vërtetën, por të paktën një rrenë të besueshme e të pranueshme)

    Le të ndalojmë edhe një herë tek nyja e krizës politike që po përjetojmë që nga viti i kaluar e nuk e dimë sa do të vazhdojë e si do të përfundojë. Një gjë është e sigurt; që “happy end” nuk do të ketë dhe lotët do ti derdhin spektatorët e dhembshur shqiptar. Supozojmë se lideri socialist është bash “Ai” dhe “ashtu” siç Ju e çmoni. Po partia e tij, më e madhja në Shqipëri e gjysma e shqiptarëve që ajo përfaqëson të cilët ndjehet e fyer nga “vjedhja e fitores”, e gjysma jote e akuzuar si “vjedhëse”, nuk e meritojnë një përgjigje, që të qetësojë palën e hidhëruar e të verë në vend nderin e palës tjetër dhe dinjitetin e demokracisë kaq të përbaltur në Shqipëri?

    Nuk pretendojmë të vërtetën, pasi ajo do të rrëzonte njërin nga të ju o të dy bashkë, por presim përgjigjen më të besueshme, e një zgjidhje të arsyeshme e të pranueshme nga të dy palët, në interes të vendit, të demokracisë e të shtetit ligjor, çka do të thotë: kompromis politik midis subjekteve politike e jo pakte djallëzore midis dy individëve, sepse; as kolltukët, as partitë që kryesoni e aq më pak shteti e Shqipëria nuk janë pronat tuaja. Ajo që është e juaja; janë të ndenjurat, (nëse nuk i keni shitur), besimi,(nëse nuk do ta humbisni rrugës), dinjiteti (nëse nuk do ta shkelni me këmbët tuaja), dhe emri, (nëse nuk do ta përdhosni).

    Zoti kryeministër, shqiptarët të kanë dhënë mandatin, me besimin se Ju do të ndërtoni një shtet ligjor, që do të administroni me përgjegjësi të lartë politikën dhe me nikoqirllëk ekonominë e shtetit e paret publike, për interesat e vendit. Sot keni hyrë në të V-in vit të mandatit dhe jo vetëm dishepujt e tu por të gjithë shqiptarët, pa dallim feje e ngjyre politike mbërthyer nga kriza e dyfishtë; politike dhe ekonomike, po shohin të zhgënjyer si majmen administratat partiake e qeveritare, dhe po ndjekin të fyer teatrin banal politik.

    I Pari i Amerikës, superfuqisë ekonomike botërore, flet çdo ditë për krizën dhe në axhendën e ditës ka punën, sigurinë, shëndetin e edukimin e qytetarëve të tij. Në Shqipëri fjala “krizë”, si ekonomike edhe politike nuk përmenden, bile janë të ndaluara. Falë Evropës, u lejua që fjala “krizë” të përdoret por me “k” të vogël e vetëm për krizën politike. Për atë ekonomike shqiptarët nuk mund ta përdorën fjalën “krizë” as me “k” të vogël, në axhenden e Berishës është “Edi Rama mafioz pa brekë”, ndërsa në atë të Ramës; “Berisha hajdut me kutia”.

    A është e mundur që qeveria e vendit më të varfër në Evropë, në kohën e në një krize që ka gjunjëzuar kolosët e ekonomisë botërore jo vetëm që nuk është e preokupuar por mburret me rritjet e treguesve ekonomikë, madje i shet beleg euros me lek? Mbase! Në Shqipëri ç’farë nuk ban vaki! Edhe në kohën e “Bllokadës ekonomike, kur ne hanim barë, “Zëri i popullit” i asaj kohe bënte karshillik me “begatinë shqiptare” e shante krizën rëndë kapitaliste, madje fliste “për revolucion, jo si aspiratë, por si problem i shtruar për zgjidhje”!!! Mos vallë na ka ngel ora në kongresin e VI të PPSH?!?! (bane Zot andërr! thotë nëna ime)

    Zoti kryeministër, kur thoni se në Shqipëri nuk ka krizë ekonomike, e keni fjalën për popullin që e merr bukën me listë, apo për ministrat, zëvendës ministrat, shefat e drejtorët e deputet që mbushin xhepat me paret publike? Sa kohë keni që nuk keni shkuar në fshatin e fëminisë? Nëse ke qenë, a jeton ndokush më në ato shkrepa, apo të gjithë kanë ardhur në Bathore? Po ata që i “zuri çatia” e nuk zbritën dot në fushë, a i ke parë si jetojnë?

    I kam parë unë doktor; si mos ma keq! “…mjerim, mjerim, viket gjithkah malësia…!”

    Kush e ka jetuar dhe ata që po e jetojnë sot mbi kurriz, në vetën e parë, e dinë më mirë se ai që e ka rrëfyer në vetën e tretë dhe, shumë më mirë akoma se politikanët e sotëm shtihanë që recitojnë Migjenin e Çerçiz Topullin “gju me gju me popullin”, në Valbonë e nën hijen e rrapit në Mashkullorë.

    Zotërinj politikanë e qeveritarë, pa dallim feje, krahine, të majtë e të djathtë, dilni nga ahuri i intrigave të pushtetit e të tarafeve ku jeni ngujuar, dhe shikoni si jetojnë tri hise të shqiptarëve që shtrëngojnë rripin e grushtet para “mollëve të ndalueme” ; në Jug e veri, bjeshkë, fushë e vrrì, në katund e në qytet e në Kryeqytetin e begatisë. Mos u mburrni me punën e biznesmenëve e as me mirëqenien e tyre, sepse e kanë krijuar ata vetë, madje edhe për Ju, mos u mburrni për pallatet e as për asfaltet sepse janë fryt i kapitalizmit e jo meritë e juaja, janë djersa e paret e shqiptarëve e jo të politikanëve e të qeveritarëve. Merita e jua është të vidhni sa më pak, të bëni detyrën si administratorë në shërbim të populli sepse fal Atij sovran ziut jeni aty ku jeni dhe Ai ju paguan e po iu bën zengjinë.

    Zoti Kryeministër i vendit tim; pyetjet e lartpërmendura, nuk janë të një kundërshtari politik, as të një socialisti, as të një mafiozi, as të komunisti, as të një bllokmeni por bash të një ithtari të demokracisë, të një demokrati pa tesere partie, e nuk janë vetëm të miat, por të shumë e shumë shqiptarëve të ndershëm të pavarur nga e djathta dhe e majta, pa kurrfarë konflikti interesash ekonomike e as politike, që nuk kanë frikë të thonë të vërteta, përkundrazi ndjejnë detyrë para vetes, vendit e njerëzve të vet, të përballen me korrupsionin kriminal politik e shtetëror, e kur pyesin, nëse e kanë këtë të drejt, si qytetarë të thjeshtë, duan jo vetëm përgjigje. E nëse nuk keni kahë as për këtë, të paktën reflektoni për një zgjidhje, të pjekura e të qëndrueshme.
    Ta marrë vesh gjithë bota mbarë, unë kam le e do vdesë shqiptar!

    Gazeta Shekulli

    Vendoseni kte artikull :
    [Ask] [blinklist] [del.icio.us] [Digg] [Facebook] [Google] [MySpace] [Reddit] [StumbleUpon] [Twitter] [Yahoo!] [Email]

    1 Koment

    1. gimi says:

      helpra qimen e nderon dhe bishtin e dredhon……..
      ”O SALI” ike nje her me dyfek po ket her do ikesh si grek…………

    Lini një Përgjigje

    :) :( :o :? 8) :D :x :P :wink: