Seksi në zonën e reptësisë
Besimi i grave nuk shpërdorohet, seksualisht, vetëm tek doktorët, avokatët, mësuesit, priftërinjtë e mentorët, por ai, shpesh, me të njëjtën peshë, shpërdorohet edhe në vendin e tyre të punës.
Iluzionet seksuale, kërkesat për marrëdhënie seksuale, ose marrëdhëniet seksuale të konsumuara me burrat e pushtetshëm, gratë i përshkruajnë si marrëdhënie ku, vërtet, është shpërdoruar besimi i tyre, por këta burra, gjithmonë, kanë qenë me shumë rëndësi për zhvillimin dhe prosperimin e tyre.
Studimet tregojnë se sa më shumë shtohet numri i grave në tregun e punës, veçanërisht, me detyra më të larta e më të sofistikuara, problemi i marrëdhënieve seksuale me mentorët dhe protegeetë e tyre bëhet më i madh. Ky fakt, duhet të nxisë që problemi i marrëdhënieve seksuale të zonës së rreptësisë, të trajtohet, të drejtohet dhe të kuptohet në të gjithë psikologjinë që e përshkon.
Seksi në zonën e rreptësisë, në masmedia dhe në vëmendjen e publikut njihet me terma të ndryshme. Këto terma shprehin aspekte të ndryshme të fenomenit, por në themel të tyre, gjithnjë, është seksi ku besimi i grave tradhtohet nga profesionalistët me pushtet mbi gruan, ose nga politikanë të njohur, ose fare të panjohur.
Në të gjitha këto raste, dinamika e abuzimit është e ngjashme, pavarësisht, vendit dhe fesë ku ndodh abuzimi.
Në përgjigje të kërkesës sime në internet, për të mbledhur opinione për këtë problem, një lexues më shkruante:
“E ç’na thua o Doktor! Ne të gjithë si komb, jemi të përfshirë në këto lloj marrëdhëniesh me drejtuesit tanë. Me ata, që sot është bërë zakon t’i quajmë liderë.
Ata kanë fuqi të jashtëzakonshme mbi jetën tonë dhe në nivel social, ata janë bërë drejtuesit e udhëheqësit tanë. Ata, me mënyra nga më të ndryshmet, shkelin besimin që ua kemi dhënë me votën tonë.
Ata na e kanë “kallur” ne të gjithëve, pa le më grave tona, me të cilat bëjnë çfarë të duan. Ne e shohim dhe e dimë se ku, kur dhe nga kush shpërdorohet besimi ynë dhe kemi përkulur shpinën. Njerëzit me pushtet dhe njerëzit me para e bëjnë ligjin si ta duan ata vetë.”
Nga shumë burime, çdo ditë, dëgjohen raste të keqpërdorimit të besimit të grave prej burrave të fuqishëm. Por, burim më i madh informimi për këtë problem, është fenomeni i ashtuquajtur “Gjithkush i di” këto histori.
Sot, “gjithkush e di”, se avokatët e divorceve, në mënyrë jo dinjitoze futen në marrëdhënie seksuale me klientët e tyre femra. “Gjithkush e di” që studentet flenë me drejtuesit e disertacioneve të tyre.
“Gjithkush e di” se doktorët, priftërinjtë, mësuesit bëjnë seks me pacientet, klientet dhe studentet e tyre. “Gjithkush e di” se bosët, shefat, drejtorët, shpërdorojnë besimin e grave vartëse të tyre. Pra, fenomeni “Gjithkush e di”, tanimë, është bërë përcaktues.
Kjo pletorë e veçantë informative, tregon se duam apo nuk duam ne, seksi në zonën e rreptësisë ekziston. Nuk ka dyshim, se nëpërmjet fenomenit “Të gjithë e dinë”, mund të përhapen edhe fjalë të pabazuara. Por, një gjë është e vërtetë, seksi në zonën e rreptësisë ekziston, ai ndodh çdo ditë dhe tek ne është mjaft i përhapur.
Sipas disa studiuesve, gratë që përfshihen në marrëdhëniet seksuale të zonës së rreptësisë, e konsiderojnë këtë përfshirje seksuale një eksperiencë të re, me pasoja shumë negative për jetën e tyre. Shumë gra, kur kujtojnë këto marrëdhënie, edhe pas shumë viteve, i konsiderojnë ato si marrëdhënie që i kanë dëmtuar.
Gratë që e kanë përjetuar këtë eksperiencë të keqe, na mësojnë se shpërdorimi i besimit të tyre ka ndodhur edhe atje, ku askujt nuk i shkonte mendja se mund të ndodhte.
Marrëdhënie seksuale në zonën e rreptësisë, për nga mënyra se si një burrë i pushtetshëm e shpërdoron, seksualisht, besimin e një gruaje, ngjajnë shumë me njëra-tjetrin, pavarësisht, se burri quhet ministër, shef, bos, doktor, psikiatër, psikolog, terapist, profesor, mentor, ose prift. Ato, kudo ku ndodhin, kanë këto dy karakteristika të përbashkëta:
1. Shumica e grave, që i kanë provuar këto marrëdhënie, e kanë pasur të vështirë t’i thotë jo, përfshirjes në këto marrëdhënie seksuale.
2. Të gjitha lidhjet seksuale në zonë të rreptësisë, ndodhin në atmosferën e një heshtje të fortë e të detyruar. Kjo nuk është vetëm heshtje e burrit dhe e gruas, që janë përfshirë në këto marrëdhënie, por edhe heshtje e dëshmitarëve, të cilët nuk bëjnë asgjë për ta ndaluar këtë fenomen. Unë e di këtë të vërtetë, sepse edhe vetë kam qenë dëshmitar i heshtur.
Si mjek, përzierjen helmatisëse të seksualitetit me pushtetin që, zakonisht, ndodh pas dyerve të mbyllura të drejtorëve, të bosëve, të shefave, të ministrave, të doktorëve, të psikoterapistëve, të priftërinjve, të avokatëve, të mësuesve dhe mentorëve të tjerë meshkuj, e shikoj si një fenomen të rrezikshëm.
Këto marrëdhënie, që duhet të jenë mbrojtëse dhe jo, seksualisht, shfrytëzuese për gratë, shpesh, bëhen shumë erotike dhe me plot fantazi të helmuara. Këto fantazi, më shpesh, i ka burri i pushtetshëm, që shpërdoron besimin e gruas, por jo rrallë, i kanë të dy bashkë. Janë këto fantazi, që e shtyjnë një grua drejt bashkimit seksual me një burrë të pushtetshëm.
Burrat e pushtetshëm, normalisht, duhet të ndjejnë përgjegjësinë morale, legale dhe etike, që të mos i lejojnë vetes të përfshihen në marrëdhënie seksuale me pacientet, me klientet, me besimtaret, me studentet dhe protegeetë e tyre femra. Por, e vërteta është, se këto marrëdhënie janë bërë një epidemi e madhe dhe e fshehtë, që prek shumë burra dhe gra.
Gazeta Shekulli
![[Ask]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/ask.png)
![[blinklist]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/blinklist.png)
![[del.icio.us]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/delicious.png)
![[Digg]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/digg.png)
![[Facebook]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/facebook.png)
![[Google]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/google.png)
![[MySpace]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/myspace.png)
![[Reddit]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/reddit.png)
![[StumbleUpon]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/stumbleupon.png)
![[Twitter]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/twitter.png)
![[Yahoo!]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/yahoo.png)
![[Email]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/email.png)

