Kupa plot kartonë, Flamurtari dorëzon kurorën
Dje janë përcaktuar 8 ekipet që do ta vazhdojnë luftën për fitimin e Kupës së 58-të të Shqipërisë
Dje janë zhvilluar tetë takimet e kthimit të turit të dytë të Kupës së 58-të të Shqipërisë dhe në përfundim të tyre janë përcaktuar skuadrat që do të vazhdojnë më tej betejën për fitimin e këtij trofeu. Tirana, Dinamo, Shkumbini, Besa, Vllaznia, Teuta, Gramozi dhe Skënderbeu janë ekipet që do të luajnë në çerekfinalet e kupës. Tetë ndeshjet e djeshme kanë prodhuar një promblematikë të larmishme, ku bie në sy numri i madh i kartonëve të kuq dhe të verdhë. Me përjashtim të ndeshjeve Tirana-Lushnja dhe Besa-Laçi, në të gjitha çiftetet e tjera është treguar kartoni i kuq.
Nëntë është numri i kartonëve të kuq që janë marrë dje në ndeshjet e kthimit të turit të dytë të kupës, ku tetë janë për lojtarët: Sheta (Partizani), Hoxha (Kastrioti), Lena (Gramozi), Çerepi (Kamza), Shoshi (Apolonia), Çipi, Kraja (Skënderbeu), Puntinçanin (Dinamo), si dhe trajneri i portierëve të Bylisit, Arbër Sino. 35 ka qenë numri i kartonëve të verdhë, të cilët janë shfaqur në çdo takim, por më të paktë kanë qenë në çiftin Tirana-Lushnja, vetëm një.
Tensioni. Në përgjithësi, dje ka pasur tension dhe si rezultat i kësaj vijnë edhe kartonët e shumtë. Tensioni apo dhuna ka qenë gjithëpërfshirëse në takimet e djeshme, pasi ka pasur mes lojtarëve në fushë, mes lojtarëve dhe tifozëve, por edhe stafeve drejtuese.
Tensionet mes lojtarëve janë të pritshme, por është e pashpiegueshme që në vitin 2009 lojtarët tolerohen që të hapin “librin e shtëpisë” dhe të komunikojnë me tifozerinë. Ky aspekt tregon se sa larg profesionalizmit janë futbollistët tanë, por edhe sektoret përkatëse në federatë, që i lejonë këto shfaqje të shëmtuara. Ethet e kualifikimit dje janë parë edhe në tribunat e drejtuesve, pasi në takimin Dinamo-Bylis ka pasur përplasje mes stafeve, që për çudi vijnë nga e njëjta trevë.
Terrenet. Fushat ku janë zhvilluar dje takimet e kupës në njëfarë mënyre kanë qenë përcaktuese në ecurinë e ndeshjeve. Për shkak të reshjeve të shiut asnjë çift nuk ka luajtur në kushte normale, madje në pjesën më të madhe të terreneve ka mbizotëruar uji dhe balta. Dje, fierakët, përveç korçarëve, kundërshtare kanë pasur edhe baltën, që në disa raste e ka ndalur topin në vijën fatale. Në Kavajë dukej sikur po luhej në fushë “të zezë”. Pra, fushat kanë ndikuar në takimet që janë luajtur dje.
Surpriza Flamurtari. Përfundimi i turit të dytë nuk ka dhuruar shumë të papritura, por nëse bëhet fjalë për surprizë, ajo e ka emrin Flamurtar. Në sezonin e shkuar vlonjatët ishin fituesit e kupës, por duke nisur nga dje, ata e kanë dorëzuar zyrtarisht këtë trofe, pasi nuk kanë asnjë mundësi që ta mbrojnë. Gramozi ka shkurorëzuar Flamurtarin brenda në shtëpinë e tij, takim i cili ka sjellë plot revolta në kampin vlonjat, pasi humbja e penalltisë nga ana e Memës ka bërë që tifozeria të shfryjë ndaj sulmuesit korçar.
Pak minuta para se të përfundonte takimi, Mema nuk ka duruar më, ka hequr fanellën dhe ka braktisur fushën e lojës, por pas lutjeve të shokëve dhe stafit ai është kthyer në lojë, por çuditërisht nuk ka marrë asnjë masë ndëshkimore nga gjyqtari. Tensionin e këtij takimi e ka përjetuar keq edhe trajneri i Gramozit, Agim Canaj, i cili megjithëse është vlonjat, nuk është kursyer nga patriotët e tij.
Turi çerekfinal i Kupës së 58-të të Shqipërisë
(3-17 shkurt 2010)
Grupi A
Besa – Tirana
Shkumbini – Dinamo
Grupi B
Skënderbeu – Vllaznia
Gramozi – Teuta
![[Ask]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/ask.png)
![[blinklist]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/blinklist.png)
![[del.icio.us]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/delicious.png)
![[Digg]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/digg.png)
![[Facebook]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/facebook.png)
![[Google]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/google.png)
![[MySpace]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/myspace.png)
![[Reddit]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/reddit.png)
![[StumbleUpon]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/stumbleupon.png)
![[Twitter]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/twitter.png)
![[Yahoo!]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/yahoo.png)
![[Email]](http://lushnja.net/wp-content/plugins/bookmarkify/email.png)

